Rama duartrokitet në Beograd, moderatori e quan kampion i “Open Balkan”

Me duartrokitje është shoqëruar mbyllja e fjalës së kryeministrit Edi Rama gjatë takimit të “Open Balkan” ku po merr pjesë online.

Madje moderatori i këtij takimi e ka quajtur Ramën kampioni i “Open Balkan”.

Në këtë takim bie në sy mungesa e Presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Moskë, transmeton abcnews.al

Në vend të tij është kryeministrja Ana Brnabiç dhe zv.kryeministri i Serbisë.

Pjesa kryesore e konferencës është zhvilluar online.

Si Rama, ashtu edhe përfaqësuesi i lartë i SHBA-ve për Ballkanin, Gabriel Escobar kanë marrë pjesë online.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama gjatë adresimit të tij online ka thënë se nuk u takon anëtarëve të iniciativës të bindin këdo që ‘Open Balkan’ është vërtet i hapur.

Ai theksoi se as supozimi që iniciativa nuk është e hapur për anëtarë të tjerë nuk është i vërtetë.

Sipas Ramës, Ballkani i Hapur është kompatibil me Procesin e Berlinit, iniciativë të cilën e themeloi kancelarja gjermane në largim, Angela Merkel që shtetet e Ballkanit Perëndimor të bëhen anëtare të BE-së.

Megjithatë, Rama shprehi pakënaqësi për faktin që Bashkimi Evropian po zvarrit zgjerimin për Ballkanin Perëndimor. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut tashmë disa vjet presin nga Brukseli datën për nisjen e negociatave për anëtarësim në BE.

“Premtojnë data, e më pas nuk i realizojnë… Ne nuk do të jemi në Bashkimin Evropian vitin e ardhshëm, andaj ne në rajon duhet të punojmë bashkë”, tha kryeministri shqiptar, transmeto REL. Sipas vlerësimeve të Ramës, Ballkani i Hapur mund të ndihmojë që të zgjidhet problemi mes Serbisë dhe Kosovës, sepse ‘problemet mund të adresohen vetëm nëse të gjithë janë bashkë’.

Kryeministri i Shqipërisë tha se do të ishte shumë i lumtur kur të dy partnerët, BE-ja dhe SHBA-ja do të deklaronin që Ballkani i Hapur është ‘iniciativë e mirë’.

I dërguari i SHBA-së deklaroi gjatë takimit se nisma do të ketë sukses vetëm nëse të gjitha vendet, pra 6 shtetet e rajonit do të bëhen pjesë./telegrafi.com

 

Author: portali