
Mesfushori i Istanbulspor Valon Ethemi është ftuar nga trajneri i Maqedonisë së Veriut, Bllagoja Milevski, për dy ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës me Armeninë dhe Islandën. Ish-lojtari i Kukësit ka marrë për herë të parë ftesë për të përfaqësuar skuadrën e parë të Maqedonisë së Veriut.




Tetovari më parë ka qenë pjesë e skuadrës së 21 vjeccarëve të maqedonsië dhe me paraqitjet e bëra në këtë fillim sezoni në ligën e dytë turke duket se ka bindur trajnerin e përfaqësueses për ta grumbulluar për takimet që do luhen në mesin e këtij muaji.
“Bëhet fjalë për një futbollist të ri, i cili ka cilësi dhe ka treguar një formë të mirë këtë sezon në Turqi. Besoj se do ta ngrijë cilësinë në përfaqësuese”, u shpreh trajneri Milevski.




Për dy ndeshjet e fundit kualifikuese të Kupës së Botës, trajneri i Maqedonisë së Veriut nuk do të ketë të disponueshëm Arijan Ademin, Boban Nikollovin dhe Deni Ilievin.
Skuadra maqedonase ka grumbulluar 12 pikë, duke u renditur në vendin e tretë, me një pikë më pak se Rumania e do të kërkojë që të zërë një vend në Play Off në këto kualifikuese. Më 11 nëntor Maqedonia e Veriut do të ndeshet me Armeninë në transfertë, ndërsa tri ditë më vonë pret Islandën në Shkup.