Rrethimi i selisë së PD-së, reagon me urgjencë policia

Për shkak të protestës që po zhvillohet, Policia njofton se do devijojë trafikun dhe do të bllokojë disa segmente rrugore.

Segmentet rrugore që tashmë janë të bllokuara:

– Rruga nga Toptani deri te Parlamenti

– Rruga “George Ë. Bush”

– Bulevardi Zhan D’Ark

Policia apelon të gjithë qytetarët që të shmangin lëvizjen në këto akse rrugore.

Sot po mbahet protesta kombëtare para selisë së PD-së thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha kundër kreut aktual Lulzim Basha.

Berisha kërkon largimin e tij nga drejtimi i partisë pas Kuvendit të 11 dhjetorit të thirrur prej tij dhe shkarkimit të Bashës më pas dhe në një referendum me anëtarësinë.

Bashës i ishte lënë afati 5 janar lirimi i zyrave dhe pas skadimit të këtij afati Berisha dhe Komisioni i Rithemelimit njoftuan protestë për ‘rimarrjen e shtëpisë së tyre”. Berisha është në përplasje të hapur me Lulzim Bashën që prej 9 shtatorit, kur ky i fundit largoi Sali Berishën nga grupi parlamentar i PD-së pas shpalljes ‘non grata’ nga SHBA-të.

Menjëherë pas kësaj Berisha nisi turin e tij të ‘Foltores’ me anëtarësinë në të gjithë vendin, tur i cili kulmoi me Kuvendin e 11 dhjetorit dhe referendumin për shkarkimin e Bashës me 18 dhjetor të vitit që lamë pas. Sipas Komisionit të Rithemelimit, i ngritur për ristrukturimin e PD-së, Lulzim Basha është shkarkuar me mbi 44 mijë vota të anëtarëve të PD-së.

Ky i fundit e cilësoi procesin e shkarkimit të tij ilegjitim dhe të manipuluar, ndërsa theksoi se nuk do të largohet nga drejtimi i Partisë Demokratike duke akuzuar Berishën se do të përdorë partinë për mbrojtje personale./shqiperiaime.com.al

Author: portali