
Marka luksoze Caviar ka shkrirë një Tesla Model 3 për një bust të miliarderit amerikan, Elon Musk. Përveç bustit, prej tij është bërë edhe një iPhone.
Marka luksoze ruse Caviar tërheq gjithmonë vëmendjen me variantet e saj të shtrenjta të telefonave inteligjentë, konzollave të lojërave dhe veturave.




‘Shakaja’ e saj e fundit: Një bust i shefit të Tesla-s, Elon Musk. Busti është ndërtuar nga materiali i shkrirë i një Tesla Model 3, i cili kushton rreth 50 mijë euro në Rusi. Është i kufizuar në 27 copë dhe kushton 3220 dollarë (2890 euro).
Qëllimi nuk ishte krijimi i një imazhi fotorealist. “Ai (skulptori) krijoi një imazh të shpikësit që pasqyron arritjet dhe shpikjet e tij”, tha themeluesi i Caviar Sergey Kitov për Business Insider.




Ngjashmëria me Elon Musk mund të mos jetë e dukshme në shikim të parë, por Caviar e ka emrin të shkruar me shkronja të mëdha në një pllakë ari 24 karat që është ngjitur në bazën e mermerit. /Telegrafi/