Alla është një vajzë ruse që prej 11 vitesh jeton në Tiranë. Përpara se të shkelte në Shqipëri, dinte shumë pak për të, dhe as nuk e kishte menduar asnjëherë jetën e saj këtu. Si fillim në Shqipëri e solli dashuria. Më pas kuptoi, se ndryshe nga shumë shqiptarë që duan të largohen nga vendi i tyre, ajo ka zbuluar se Shqipëria është një vend shumë i mirë për të jetuar.
E rritur në Moskën e ftohtë, Tirana dhe gjithë Shqipëria i janë dukur shumë mikpritëse dhe bujare. Vitet e para të qëndrimit në Shqipëri ka punuar si fotografe, ndërsa tani, prej më shumë se dy vitesh është e angazhuar në një tjetër fushë, atë të trajnimit të mendimit të njerëzve. Në rrjetet sociale ajo është e njohur për seancat e saj motivuese.
Alla Simacheva e flet shqipen shumë mirë. Është brune dhe ka tipare të imta. Sot është mami e një djali 8 vjeç. Ka një zgjidhje për gjithçka dhe sipas saj e gjithë jeta është çështje fokusi, varet se çfarë do që të shohësh dhe marrësh prej saj. Por si duket Shqipëria e ditëve të sotme në sytë e një vajze ruse? -Alla, përpara se të vije në Shqipëri a kishe dëgjuar më parë për këtë vend.