Shqipëria do ta ndihmojë Kosovën me energji elektrike për festat e fundvitit

Shqipëria do të ndihmojë Kosovën në krizën energjetike që po kalon këto kohë.

Këtë e bëri me dije kryeministri Edi Rama gjatë ditës së sotme duke thënë se do t’i vijë në ndihmë familjeve në Kosovë që dy ditët e festave të mos mungojë energjia elektrike.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku ka komunikuar vendimin e marrë për të furnizuar Kosovën me energji më 31 dhjetor dhe 1 janar.

Sipas saj, Shqipëria do të furnizojë Kosovën me 7680 MWh për 31 dhjetorin 2021 dhe 1 janarin 2022 në formën e depozitës dhe pa efekt financiar.

Kjo sasi do i kthehet pas Shqipërisë në sezonin e verës gjatë periudhës nga qershori në shtator.

Kryeministri Rama ka lënë porosi të veçantë gjatë ditës së sotme përsa i përket përballimit të krizës energjetike në Kosovë më 31 dhjetor dhe 1 janar. Kemi angazhuar të gjithë burimet njerëzore për të gjetur një zgjidhje dhe për të furnizuar Kosovën në këto ditë shumë të rëndësishme. Në total do të japim 7680 MWh që do të kthehen në formën e depozitimit, pra pa asnjë efekt financiar për Republikën e Kosovës duke kërkuar që t’i rikthehen Shqipërisë gjatë sezonit veror kur kushtet hidrike bëhen të vështira. Pra kjo depozitë që do të dorëzohet brenda këtij muaji do të kërkojmë të na kthehet gjatë stinës së verës, nga muaji qershor deri në shtator.

Sot ka qenë në parlament për një debat mbi energjinë. Kriza energjetike ka prekur të gjithë botën. Në ditët në vijim do të flasim më gjerë edhe për abonentët që janë të lidhur me rrjetin e tensionit të mesëm se i detyron të dalin në tregun e lirë por në kushte kaq të vështira, qeveria shqiptare po analizon dhe po merren masat e duhura dhe për këtë target grup.

Është detyrë e jona që t’i ofrojmë vëllezërve tanë që të kenë shërbim. Është me porosi të veçantë nga kryeministri. Do të ofrojmë shërbim të pandërprerë në çdo skaj të Shqipërisë”, tha Balluku.

Një ditë më parë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti reagoi për krizën energjetike që po përjeton vendi, duke propozuar dy zgjidhjet për këtë situatë, reduktimin ose shtrenjtimin e energjisë.

Kurti tha se vendi duhej të kishte menduar më parë për të mos mbërritur në këtë situatë, teksa thekson se faktorët që ndikuan në këtë krizë janë: Mungesa e vizionit për zhvillim socio-ekonomik të Kosovës, me planifikim të sektorit energjetik për furnizim të qëndrueshëm dhe çmime të përballueshme dhe korrupsioni qeveritar i bërë zakon, e që kulmoi me privatizimin e rrjetit të shpërndarjes dhe furnizimit për vetëm 26 milionë euro, raporton TCH/Telegrafi.com

Author: portali