
Zv.ministrja e Shëndetësisë, Eugena Tomini ka deklaruar sot se shqiptarët këtë verë nuk do të pengohen për të udhëtuar jashtë vendit.




Tomini u shpreh se edhe nëse vendet europiane nuk njohin vaksinat ruse e kineze, qytetarët shqiptarë sërish do të mund të udhtëtojnë, duke paraqitur tamponin negativ.
“Përveç aplikimit me pasaportën e vaksinimit është edhe tamponi 48-72 orë. Kështu që popullata shqiptare nga kryerja e njërës apo tjetrës vaksinë nuk do të privohet nëse kemi disa alternativa siç është pasaporta e vaksinimit me vaksinat e BE apo kryerja e një tamponi”, u shpreh Tomini për Klan Tv.
Ajo shtoi se tamponi vlen edhe për ata që e kanë kaluar Covid-19, pasi barkodet që njihen në kufi janë të vendosura vetëm tek certifikata e vaksinimit si edhe tek rezultati i tamponit.




“Ka individë të cilët mund ta kenë kaluar sëmundjen por nuk reflektojnë në gjak antikorpe, prandaj edhe nëse individët që kanë kaluar sëmundjen të kryejnë tamponin 48-72 orë”, tha zv.ministrja Tomini.
Teksa po planifikohet hapja e kufijve, asnjë vend në Europë nuk ka dalë me vendim final për të lejuar apo jo turistë nga vendet jashtë unionit.