Skandali/ Berisha kontribuoi për ngritjen e “Jugosllavisë së re”, me Shqipërinë e Kosovën brenda. Bumçi: Serbët na bënë presion, ja takimet në Malin e Zi

Sali Berisha i cili një ditë më parë protestoi në qendër të Tiranës kundër “Open Balkan” dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç, duke akuzuar Edi Ramën se po ia nënshtron vendin Serbisë, vetë ka pasur në fillim të vitit 2013 një “flirt” me një nismë tjetër ballkanike.

“Unioni Ballkanoperëndimor” u përvijua në atë kohë si një amalgamë mbishtetërore ndërmjet Serbisë, Bosnje-Hercegovinës, Malit të Zi, FYROM-it(Maqedonia e Veriut) dhe Shqipërisë, me Kosovën, si shtojcë, si “shtet fusnotë”, nën hijen e Rezolutës 1244, pra si “rajon i veçantë”, siç e quan Ivica Daçiqi në atë kohë.

Ishte e ngjashme me situatën e viteve e 1945-48, kur viset shqiptare u bënë shtojca të pashpallura territoriale për republikat jugosllave, ndërsa Shqipërisë i caktohej fati i republikës të shtatë të Jugosllavisë.

Ishte media ajo që i denoncoi këto negociata të qeverisë së Berishës në atë kohë, vetëm 7 ditë pasi qeveria e re PS-LSI e kryesuar nga Edi Rama u votëbesua dhe filloi punën, duke e cilësuar përpjekjen e Berishës një tentativë të krijimit të “një Jugosllavi e re me dy shtete shqiptarë”.

Njëherësh u zbuluan dhe faktet skandaloze të përfshirjes diplomatike të Shqipërisë dhe të Kosovës në bisedime të fshehta për krijimin e “Unionit Ballkanoperëndimorë ”, vetëm disa muaj pasi shqiptarët kishin festuar 100-vjetorin e pavarësisë kombëtare dhe 5-vjetorin e njohjes së shtetit të Kosovës.

Propozimin për “Union Ballkanoperëndimor” e kishte paraqitur ministri i Jashtëm i asaj kohe i Malit të Zi, Luksiq, në Ohër me rastin e samitit të Europës Juglindore, më 1 qershor 2013. Atëherë u tha se ky takim dështoi ngaqë kryetari i shtetit organizator, FYROM-it (Maqedoni e Veriut), nën trysninë e Serbisë, nuk e kishte ftuar Presidenten e Kosovës. Por “Nisma Luksiq” nuk u cilësua aso kohe si vepër e diplomatisë malazeze, duke akuzuar se pas saj qendronte Beogradi zyrtar.

Diplomacia e Shqipërisë dhe e Kosovës në atë kohë u akuzuan se ishin bërë bashkëfajtore në diskutimet rreth “Nismës Luksiq”, në vend që ta hidhnin poshtë menjëherë, pasi nuk kishte bekimin as të SHBA dhe as të BE, por ishte bërë jashtë vëmendjes së tyre.

Ish-kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, nuk dha shpjegim pse diplomacia e tij e mbajti fshehur “Nismën Luksiq”, ndonëse shtypi shkroi për “tradhtinë e fundit të Sali Berishës që firmosi në fshehtësi traktatin për krijimin e Jugosllavisë së re me Shqipërinë si republikë e gjashtë”

Ndërsa ish-ministri i jashtëm, Aldo Bumçi, paraqiti justifikimin se diplomacia e Shqipërisë e quante nismën malazeze të panevojshme, por mori pjesë në diskutimin e saj në Ohër dhe në korrik në Mal të Zi, meqenëse Serbia ngulte këmbë që të veprohej shpejt.

Por në të vërteëtë, ndonëse tani bëhet sikur harrohet pasi Berisha dhe opozita në përgjithësi kanë kthyer në “tabelë qitjeje” nismën “Open Balkan” të Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, projekti i fshehtë serbo-rus, për ringjalljen e Federatës së Jugosllavisë, me Shqipërinë dhe Kosovën nën ombrellën e saj, në atë kohë revoltoi dhe provokoi shqiptarët e të gjitha trevave.

Firmosja e traktatit nga qeveria e Sali Berishës, në mënyrë të fshehtë, në Mal të Zi, duket se janë vetëm maja e ajzbergut. Disa ditë pas skandalit, reagoi ish-ministri i Jashtëm, Aldo Bumçi, i cili devijoi shpjegimet për projektin e rrezikshëm për Shqipërinë.

Pasi ka dërguar përfaqësues në dy takime sekrete, (informale i cilësoi ai), Bumçi tha se qeveria Berisha ishte kundër nismës. E vërteta është se Bumçi dhe Berisha, e kishin dhënë pëlqimin e tyre në dy takimet e fshehta për këtë çështje, ndërsa kanë pranuar zhvillimin e një takimi tjetër në nivel ministrash në OKB.

Bumçi ishte përgatitur për të firmosur kalimin e Shqipërisë nën ombrellën e Serbisë në OKB, por fatmirësisht Berisha u rrëzua nga pushteti me 1 milion vota kundër dhe shqiptarët nuk lejuan të çonte deri në fund tradhëtinë e radhës.

Megjithatë, Bumçi, tashmë nga një pozicion tjetër, akuzon qeverinë e re për marrëveshjen. Por ai nuk iu përgjigj pyetjes se pse nuk i bëri publike dy takimet e para për ringjalljen e Jugosllavisë së Millosheviçit.

“Çështja ekziston, por mënyra se si është paraqitur në publik që qeveria e djathtë ka qenë pro saj, është pavërtetë, jemi shprehur absolutisht kundër. Për herë të parë, ky propozim është bërë në samitin e Ohrit, i cili dështoi prej vetos që Serbia i vuri pjesëmarrjes së Kosovës dhe po në këtë moment u propozua nisma nga Mali i Zi që përfshinte 6 vende. Ne u shprehëm kundër. Ne e kundërshtuam për tre arsye, ka shumë nisma rajonale. Më e rëndësishmja është SECP, nisma më e rëndësishme që lejon pjesëmarrjen e Kosovës.

E dyta, Serbia s’mund t’u bëjë bisht detyrimeve që burojnë nga marrëveshja Serbi-Kosovë. Dhe e treta është se kjo nismë lë jashtë në mënyrë të pakuptueshme Kroacinë dhe Slloveninë, vende anëtare të BE”, ka deklaruar Bumçi në atë kohë.

Ai ka shtuar se Serbia dhe Mali i zi kanë ushtruar presion për ta pranuar me nxitim këtë projekt. “Ka patur një nxitim nga ata që kanë propozuar nismën, një nxitim të pakuptueshëm. Nisma u hodh në samitin e Ohrit, në mënyrë informale dhe u diskutua në korrik në nivel drejtorësh të vendeve. Pra, nisma u hodh po atë ditë në atë samit që dështoi. U hodh në mënyrë informale. U diskutua në nivel drejtorësh në korrik, ku ne shprehëm qëndrimin tonë se nuk ka nevojë për një nismë të tillë”, ka theksuar Bumçi.

Deputeti demokrat ka akuzuar në atë kohë bqeverinë e re 7 ditëshe të Ramës se po e mbështet dhe e mban të fshehtë nismën. Ai deklaroi se qeveria Berisha nuk e ka pranuar projektin, por ndryshe pohuan autoritetet malazeze.

“U zhvillua takimi në Neë York mes ministrave të Jashtëm. Në faqen zyrtare të Ministrisë së Jashtme doli njoftimi që, Ministrat e Punëve të Jashtme të rajonit do të takohen edhe një herë tjetër për mundësitë që ofron nisma dhe rakordimin e kësaj nisme me nisma të tjera. Pra, çdo të thotë kjo? Që nismës i është dhënë drita jeshile?! Diskutimi ka qenë në nivel formal dhe drejtorësh. Ne jemi shprehur se kjo nismë është e panevojshme dhe nuk shton asgjë të re në bashkëpunimin rajonal. Pse është ngritur ky debat sot? Të kërkojnë një alibi që qeveria e mëparshme pranoi vendimin. Qeveria e mëparshme nuk e ka pranuar nismën. Qeveria e re duhet të shprehet në lidhje me këtë nismë. Ne mendojmë se nuk i shërben as bashkëpunimit rajonal interesit të Shqipërisë”, deklaroi Bumçi në atë kohë.

Por teksa dëgjonin Berishën dhe Bumçin në podiumin e ngritur afër kryeministrisë, në protestën kundër “Open Balkan”, shqiptarët shohin me sy të lirë se sa fallco janë kauzat nacionaliste të politikanëve shqiptarë që aspirojnë të “rilindën” apo të vijnë në pushtet.

Fundja Berisha asnjëherë nuk e ka pasur për herë të parë “flirtin” me serbët. Mjafton të kujtojmë thyerjen e embargos së OKB furnizimin me naftë të makinës luftarake të Milosheviçit që kreu masakra në Kroaci, Bosnje dhe mbi të gjitha në Kosovë, kundëershtimin e UÇK që e quante një organizatë terroriste marksiste-leniniste, thirrjen për mosnëshkrimin e marrëveshjen e Rambujesë, që shqiptarët ta kuptojnë se “Nacionalizmi është streha e fundit e maskarenjve”.

Vetëm se këtë radhë, në kapërcyell të dorëzimit të pushtetit në vitin 2013, Berisha nuk doli hapur pro “Unionit” me Serbinë, Malin e Zi, Bosnje Herzegovinën, Maqedoninë e Veriout, Shqipërinë dhe Kosovën, por caktoi ministrin e Jashtëm të asaj kohe Aldo Bumçi të drejtonte negociatat./ /javanews.al-M.Nikaj

Author: admin