Skandali – FOTOLAJM/ Rama në Beograd me çadrën me logo të ‘FARMANET’

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka shkuar në një takim zyrtar në Serbi duke mbajtur një çadër me logon të ‘FARMANET’, kompanisë farmaceutike të Sokol Topçiut. 

Topçiu njihet si oligarku i ilaçeve që ka bërë kërdinë me tenderat në shëndetësi.

Gjithashtu Topçiu u arrestua pak ditë më parë për kontrabandë medikamentesh, dhe për habi u lirua menjëherë brenda pak ditësh.

Nuk dihet arsyeja e promovimit të kompanisë së një personi me probleme të theksuara ligjore dhe i akuzuar nga autoritetet se abuzoi duke rritur çmimet e ilaçeve gjatë pandemisë COVID-19, duke rënduar xhepat e pacientëve, përpos vështirësive të shkaktuara nga sëmundja e rëndë.

Oligarku i tenderave gjatë pandemisë
Pronari i ‘Farma-Net’ Sokol Topçiu njihet si oligarku i shëndetësisë, pasi ishte një nga personazhet që bëri namin me tenderat gjatë periudhës së pandemisë.

Por rreth një muaj më parë Topçiu është vënë në pranga gjatë operacionit ‘Përfitimi’, pasi akuzohet se ka shitur mijëra ilaçe kontrabandë gjatë periudhës së pandemisë.

Aktualisht Topçiu është në arrest shtëpie. Gjatë periudhës së pandemisë Topçiu dyshohet se ka futur në Shqipëri ilaçe të marra me 20 dollarë dhe më pas janë shitur me vlerë 500 mijë lekë të vjetra.

Por mesa duket për Ramën nuk e ka aspak problem që të reklamojë një kompani e cila ka abuzuar me çmimin e ilaçeve në Shqipëri, si dhe pronari i saj nuk ka paguar detyrimet për futjen e ilaçeve të ardhura nga shtetet e tjera./syri.net

Author: portali