Dritan Shakohoxha do të kandidojë për president të Federatës Shqiptare të Futbollit. Gazetari i njohur ka shpalosur kandidaturën e tij për zgjedhjet e ardhshme që do të mbahen në muajin shkurt dhe do të sfidojë Armand Dukën për postin e presidentit. Përmes një postimi në faqen e tij në Instagram, Shakohoxha ka treguar planin nëse fiton zgjedhjet dhe fokusi i tij do të jetë te futbolli amator për të rindezur pasionin për futbollin si dhe te ekipi Kombëtar.
“Në gjithë projektin tim të madh për të kandiduar për president të FSHF, një nga pikat më të rëndësishme të miat janë fëmijët e vegjël. Janë amatorët dhe konkluzioni është ekipi kombëtar. Kjo do të jetë rruga që do të ndjek nëse do të më besohet drejtimi për katër vitet e ardhshme. Duhet të rindezim pasionin. Ky pasion po shuhet jo sepse shqiptarët nuk e duan futbollin, por se këtu luajnë 0,5 përqind e popullsisë. Kjo është më e ulëta në rajon. Në Maqedoni është 3,5%, në Kroaci janë 8%. Në Shqipëri nuk e kanë këtë mundësi për shkak se hapësirat ku duhet të zhvillojnë pasionin e tyre nuk ekzistojnë.
Brenda katër viteve do të jemi me fokusin që të kemi 30 mijë futbollistë, të rinj apo të rritur që luajnë, që kanë mundësisë të ushtrojnë pasionin e tyre. Se çdo kompleks do mbushet me njerëz për të luajtur. Thelbi i futbollit shqiptar janë ekipet amatore, ekipet e fëmijëve të vegjël që janë baza për futbollin.
Është gjë e mirë që amatorët do të votojnë këtë herë, por duhet të kenë ndarje ndryshe e të jenë faktorë real në futboll. Sot janë ndarë në shoqata rajonale, por duhet të jenë Federata rajonale, krejtësisht të pavarura, jo me kryetarë te emëruar. Mbi të gjitha, çdonjë nga këto duhet të jetë pronarë i një objekti sportiv. FSHF duhet që në secilin rajon të ndërtojë një kompleks sportiv, zyra e seli, ku të jenë të gjithë njerëzit e futbollit. Duhet të kenë një ambient të tyre.
FSHF duhet të ndryshojë ndarjen që është sot. Janë vetëm 8, ndërsa është e padrejtë që Fieri që është rajon i madh, ka distanca të mëdha, Vlora duhet më vete. Fieri bashkë me Ballshin, Roskovecin e Patosin. Lushnja më vete me Beratin e Skraparin, nuk mund të jenë të gjithë bashkë në një Federatë Rajonale. Edhe Durrësi nuk duhet aq e madhe, edhe Kavaja duhet më vete se është e populluar. Nga 8 që kemi sot, besoj se do të jenë 11.
Sot në Shqipëri paguhen rreth 100 mijë euro në muaj qera fushash, që është barrë e rëndë për ta dhe që FSHF duhet ta heqë urgjentisht. Çdo Federatë Rajonale duket të ketë kompleks sportiv me katër fusha, se këto janë baza. Duhet të investojmë te fëmijët, sigurisht që duhet të kemi stadiume më të mira dhe falënderojmë këtë qeveri që ka dhënë një kontribut jashtëzakonisht të madh për ndërtimin e disa stadiumeve në Shqipëri. Por duhet të pilotojmë zhvillimin dhe investimin, buxhetin në këndvështrimin e tij drejt komplekseve sportive që të vijnë në dispozicion të shoqatave, ndezim pasionin duke krijuar kushte pune.
FSHF ka buxhet shumë të madh të cilin po ta pilotojë realisht te amatorët do të kishte qenë shumë më e suksesshme sesa t’i kushtohen para dy fushave para zyrave të mëdha të FSHF. Që mburren të gjithë me to, e janë të Federatës, jo në dispozicion të këtyre fëmijëve që mbajnë në këmbë sistemin e futbollit”, u shpreh ndër të tjera Shakohoxha